Politika e privatësisë
Përditësuar më 13 nëntor 2026
InBoard drejtohet nga Hysa Tech SH.P.K., NUIS M61511015A, Rruga M. Llagami, Tiranë, Shqipëri. Këtu shpjegojmë çfarë të dhënash mbledhim kur përdor InBoard ose vizitoni këtë faqe, çfarë bëjmë me to dhe cilat janë të drejtat e tua. Zbatojmë ligjin nr. 124/2024 "Për mbrojtjen e të dhënave personale" dhe, për klientët në Bashkimin Evropian, GDPR-në.
Kush është përgjegjës
Për të dhënat e klientëve tanë (bizneseve) dhe të vizitorëve të faqes, kontrollues është Hysa Tech SH.P.K..
Për të dhënat e klientëve të biznesit tënd (njerëzit që komentojnë ose të shkruajnë), ne veprojmë sipas udhëzimeve të tua, si përpunues. Biznesi yt mbetet kontrollues për to.
Çfarë mbledhim
Të dhëna kontakti dhe të biznesit: emri, emri i biznesit, numri i WhatsApp-it, email-i, adresa, ofertat dhe çmimet që na jep.
Kur hyn me Google ose Apple: emrin dhe adresën e email-it (nga Google edhe foton e profilit). I përdorim vetëm që të hysh dhe që të të shkruajmë për llogarinë; nuk kemi akses te asgjë tjetër në llogarinë tënde Google ose Apple.
Përmbajtjen që na dërgon: video, foto dhe zë, bashkë me njerëzit që dalin në to.
Kur regjistron biznesin, kërkojmë atë që është publike për të: listimin në Google (Google Places), faqen e internetit, profilin publik dhe postimet e fundit në Instagram (përmes Business Discovery të Meta-s) dhe nëse ka një llogari TikTok me emrin e tij. Të dhënat nga Google i ruajmë vetëm pasi i konfirmon ti si tuat; vlerësimet në Google i lexojmë për të kuptuar biznesin dhe nuk i ruajmë.
Llogaritë që lidh (Instagram, faqe në Facebook, TikTok): çelësat e aksesit, profilin (emrin, foton, lidhjen e profilit, numrin e ndjekësve), postimet që ke tashmë dhe statistikat e tyre, komentet dhe, nëse i ndez, mesazhet (vetëm Instagram dhe Facebook).
Postimet që bën vetë: fotot ose videot, përshkrimin, platformat dhe orën që zgjedh.
Lidhjet e Google Drive që na ngjit: skedarët e ndarë i shkarkojmë përmes API-së së Google.
Profili yt në Google Business Profile, kur e lidh: vendndodhjet, postimet, vlerësimet dhe përgjigjet ndaj tyre, si dhe statistikat (thirrjet, kërkesat për drejtime, klikimet në faqe).
Çfarë mëson InBoard nga puna me ty: miratimet, refuzimet dhe ndryshimet që bën te postimet, që postimet e ardhshme të të ngjajnë më shumë. I sheh dhe i ndryshon të gjitha te Biznesi.
Pagesat kalojnë përmes Dodo Payments, rishitësit dhe tregtarit tonë zyrtar: paguan në faqen e tyre të pagesës dhe të dhënat e kartës i ruajnë ata. Ne marrim emrin, email-in, shtetin dhe adresën e faturimit që shkruan aty, çfarë ke blerë, gjendjen e abonimit dhe të pagesave, si dhe numrat e referencës që Dodo përdor për ty dhe për abonimin tënd. Numrin e kartës nuk e shohim kurrë.
Kur hyn në listën e pritjes: email-in dhe, nëse e shkruan, emrin e biznesit. I përdorim vetëm që të të shkruajmë kur të vijë radha jote.
Në këtë faqe nuk përdorim cookies reklamash dhe asnjë gjurmues të palëve të treta. Ruajmë një cookie (lang) për gjuhën që zgjodhe dhe, kur hyn, cookies që të mbajnë të identifikuar. Ofruesi i hostimit mban regjistra teknikë (IP, shfletuesi) për siguri.
Si përdoren faqja dhe aplikacioni, të matura nga ne vetë, pa cookies dhe pa palë të treta: faqet që hap, cilat pjesë të faqes sheh dhe sa gjatë, sa poshtë shkon, butonat që prek, hapat e regjistrimit, të javës falas dhe të planeve, faqja nga erdhe (vetëm emri i saj dhe etiketat e lidhjes, si utm_source), shteti dhe nëse je në telefon, tablet apo kompjuter. Adresën IP dhe shfletuesin nuk i ruajmë: me to dhe me një kod që ndryshon çdo ditë bëjmë një shenjë të njëanshme (hash), që t'i numërojmë vizitorët e një dite pa ditur kush janë; kodi fshihet të nesërmen. Kur je i identifikuar, këto matje lidhen me llogarinë tënde.
Si i përdorim
Për të montuar dhe postuar përmbajtjen tënde, për të përgatitur përgjigje për klientët e tu dhe për të t'i dërguar për miratim, për raportet, faturimin, ndihmën dhe sigurinë.
Matjet e faqes dhe të aplikacionit i përdorim vetëm për të kuptuar çfarë i ndihmon bizneset të fillojnë dhe të vazhdojnë me InBoard dhe për ta bërë më të mirë. Nuk i ndajmë me askënd dhe nuk i përdorim për reklama.
Postimet bëhen me inteligjencë artificiale. Modelet e Anthropic (Claude) shohin kuadro nga videot dhe fotot e tua, lexojnë transkriptet dhe vendosin prerjet, fjalët, dizajnin dhe përgjigjet. Modelet e OpenAI (GPT) i kthejnë në shqip fjalët që dalin në postimet e tua. Modelet e Google (Gemini) gjejnë ku qëndron një produkt në foto, mbajnë një gjurmë të çdo fotoje që biblioteka të gjejë të ngjashmet dhe vizatojnë foto të reja (më poshtë). Njohja e zërit dhe gjetja e fytyrave bëhen në serverat tanë.
Fytyrat i gjejmë vetëm që teksti të mos u bjerë sipër. Nuk identifikojmë njerëz dhe nuk krijojmë profile biometrike.
Nuk e përdorim përmbajtjen tënde për të trajnuar modele AI. Anthropic, OpenAI dhe Google nuk trajnojnë modele me të dhënat e dërguara përmes API-ve të tyre me pagesë, dhe u kërkojmë OpenAI dhe Google të mos i ruajnë kërkesat.
Modeli i imazheve i Google mund ta vazhdojë sfondin e një fotoje, ta pastrojë ose ta tregojë produktin tënd në një mjedis të ri (një dhomë, një studio). Çdo foto e re krahasohet me foton tënde dhe nuk përdoret nëse produkti ka ndryshuar. Fotot e bëra kështu ruhen në bibliotekën tënde, të shënuara si të InBoard, dhe në vendet ku kërkohet, postimet që i përdorin mbajnë etiketën e AI të platformës. Fotot e njerëzve, të ushqimit dhe të kujdesit shëndetësor nuk rivizatohen kurrë.
Nga platformat lexojmë rezultatet e çdo postimi (shikimet, njerëzit që e panë, pëlqimet, komentet, shpërndarjet) që të t'i tregojmë dhe të planifikojmë postime më të mira.
Vetëm nëse thua po në InBoard (Biznesi, Si punojmë bashkë), tregojmë videon tënde InBoard × dhe postimet që bëmë për ty që kanë dalë, me emrin e biznesit tënd dhe sa njerëz i panë, në in-board.com dhe në profilet e InBoard. Nuk tregojmë kurrë një postim ku duket fytyra e dikujt, as postimet e një biznesi shëndetësor. Pa po-në tënde nuk tregojmë asgjë tënden.
Të shkruajmë me email kur postimet janë gati dhe për llogarinë tënde (përmes Resend).
Nga Google Business Profile lexojmë vlerësimet që të përgatisim përgjigje që i miraton ti (teksti i vlerësimit i dërgohet Anthropic për këtë), dhe postojmë përditësime vetëm me miratimin ose cilësimet e tua. Përdorimi dhe transferimi i të dhënave të marra nga API-të e Google ndjek Politikën e të Dhënave të Përdoruesve të Shërbimeve API të Google, përfshirë kërkesat e Përdorimit të Kufizuar (Limited Use).
Mesazhet
InBoard lexon mesazhet direkte të Instagram dhe të faqes në Facebook vetëm kur pronari i biznesit e ndez këtë te Biznesi. Pa këtë leje nuk lexojmë, nuk ruajmë dhe nuk dërgojmë asnjë mesazh.
Kur është ndezur, ruajmë një kopje të çdo bisede: tekstin, lidhjet e bashkëngjitjeve në platformë dhe emrin, emrin e përdoruesit dhe foton e profilit të personit që shkruan, që biznesi t'i lexojë dhe t'u përgjigjet nga InBoard. Përgjigjet i dërgojmë vetëm kur i shkruan ose i miraton biznesi, dhe vetëm brenda kohës që lejon platforma.
Mesazhet e klientëve nuk i përdorim për të trajnuar modele AI dhe nuk i shtojmë te ajo që InBoard mëson për biznesin. Kur biznesi i fik mesazhet ose shkëput një llogari, fshijmë kopjet që kemi ruajtur; mesazhet mbeten në Instagram dhe Facebook.
Baza ligjore
Kontrata me ty (për të ofruar shërbimin), interesi ynë i ligjshëm (siguria dhe përmirësimi i shërbimit), detyrimet ligjore (faturimi) dhe pëlqimi yt aty ku kërkohet.
Me kë i ndajmë
Vetëm me ofruesit që na duhen për shërbimin, me kontrata për mbrojtjen e të dhënave: Anthropic PBC (AI, SHBA), OpenAI, L.L.C. (AI për tekstet në shqip, SHBA), Google (Google Maps dhe Places, Google Business Profile, lidhjet e Google Drive, modelet AI dhe të imazheve Gemini, dhe serverat e Google Cloud në Belgjikë ku bëhen postimet), Supabase Inc. (baza e të dhënave dhe skedarët, të ruajtura në Irlandë, BE), Vercel Inc. (hostimi i faqes, SHBA), Resend Inc. (email-et, SHBA), Dodo Payments (pagesat, si rishitësi dhe tregtari ynë zyrtar, sipas politikës së vet të privatësisë te dodopayments.com/privacy-policy), Meta Platforms Ireland (Instagram, Facebook) dhe TikTok (postimi).
Kur të dhënat dalin jashtë Shqipërisë ose BE-së, transferimi bëhet me klauzola standarde kontraktuale ose me vendime përshtatshmërie.
Nuk i shesim të dhënat.
Sa kohë i mbajmë
Videot e papërpunuara: deri në 90 ditë pasi Reel-i postohet ose refuzohet.
Reels e përfunduara dhe postimet: sa kohë je klient, plus 30 ditë pasi mbaron një plan me pagesë, që t'i shkarkosh.
Fotot që bën InBoard për ty: në bibliotekën tënde sa kohë je klient; fshihen bashkë me llogarinë.
Çelësat e llogarive të lidhura: fshihen kur i shkëput ose brenda 30 ditëve pas anulimit.
Kopjet e mesazheve: sa kohë janë ndezur mesazhet; fshihen kur i fik, kur shkëput llogarinë ose brenda 30 ditëve pas anulimit.
Të dhënat e faturimit: sa kohë kërkon ligji tatimor.
Matjet e faqes dhe të aplikacionit: 13 muaj. Kur fshihet llogaria, matjet nuk lidhen më me të.
Lista e pritjes: derisa të të ftojmë ose të na kërkosh të të heqim prej saj.
Një javë falas për çdo biznes: kur një biznes nis javën falas, mbajmë gjurmë të njëanshme (hash) të listimit në Google, faqes, profileve sociale, numrave të telefonit, email-it të pronarit dhe llogarive që lidh, kurrë vetë të dhënat, që i njëjti biznes të mos nisë një javë tjetër falas me llogari të re. Ruhen edhe pasi fshihet llogaria, vetëm për këtë qëllim.
Përgjigjet e tua nëse InBoard mund të tregojë punën tënde: çdo po ose jo, me fjalët që pe, kur dhe kush e dha (email-i i llogarisë), dhe emri i biznesit. Nuk ndryshohen, dhe ruhen tre vjet pasi fshihet llogaria, si provë e asaj që pranove, sepse ajo që postuam me po-në tënde mbetet.
Të drejtat e tua
Mund të kërkosh qasje, korrigjim, fshirje, kufizim, transferim të të dhënave ose të kundërshtosh përpunimin, dhe mund ta tërheqësh pëlqimin në çdo kohë.
Mund të ankohesh te Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ose, nëse je në BE, tek autoriteti i mbrojtjes së të dhënave në vendin tënd.
Siguria dhe fëmijët
Të dhënat udhëtojnë të enkriptuara dhe qasja është e kufizuar te njerëzit që drejtojnë InBoard.
InBoard nuk është për persona nën 16 vjeç.
Kontakti dhe ndryshimet
Për çdo kërkesë na shkruaj te support@in-board.com. Kur e ndryshojmë këtë politikë, e publikojmë këtu me datën e re.